Von der Leyen dhe Borrell udhëtojnë për në Kiev, do ta takojnë Zelenskyn

Von der Leyen dhe Borrell udhëtojnë për në Kiev, do ta takojnë Zelenskyn

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, do të udhëtojnë për në Kiev këtë javë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas raportimeve për krime lufte nga trupat ruse në Bucha.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Europian, Eric Mamer, përmes një njoftimi në Twitter.

“Presidentja von der Leyen dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell do të vizitojnë Kievin këtë javë për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky, përpara ngjarjes së të shtunës “Stand Up For Ukraine” në Varshavë”, ka shkruar Mamer në Twitter.

Lajmi vjen pas bisedimeve të zhvilluara në mes presidentes së Komisionit Europian dhe Zelenskyt, në të cilat ata folën për krimet që dyshohet se kanë ndodhur në Bucha, Ukrainë. Në një deklaratë të lëshuar të hënën, presidentët diskutuan edhe varret masive që pretendohet se janë zbuluar.

“Kam folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për vrasjet e tmerrshme që janë zbuluar në Bucha dhe zona të tjera nga të cilat trupat ruse janë larguar së fundmi”, tha von der Leyen në deklaratë. /Gazeta Enigma.

Related Articles