Vështirë e ruante drejtpeshimin. Këmbët mezi e mbanin, kurse i gjithë trupi i dridhej nga mosha.
Pavarësisht barrës së viteve mbi supe, 85 vjeçarja Seniha Spahiu, thoshte se po ndihet mirë.
Ajo sot ka dalur për ta ushtruar të drejtën e saj kushtetuese, për të votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës.
Së bashku me bashkëshortin e saj, që po e mbante për krahu, kishin ardhur me veturë në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.
E moshuara thotë se nga këto zgjedhje pret më mirë për nipërit, mbesat e stërnipërit e saj, por pse jo edhe për veten e saj.
“Çdo njeri pret diçka më mirë me u bë. E, unë posaçërisht që kam fëmijë e nipa kam edhe stërnip, pres mirë për ta, por edhe për mua, pse jo” , tha Senihaja.
Në pyetjen e Telegrafit se a kishe vështirësi për të dalë në votim, ajo dha një mesazh.
“Nuk kisha probleme ngadalë, ngadalë. Dëshirë kur ke, atëherë ke edhe forcë”, tha ajo.
Përndryshe qytetarët e komunave që janë në balotazh sot po iu drejtohen kutive të votimit, për të kryer obligimin e tyre qytetarë dhe për të vendosur se kush do ta udhëheqë komunën e tyre në katër vitet e ardhshme. /Gazeta Enigma.