Mesfushori i A-League në Australi, Josh Cavallo, ka dalë publikisht si homoseksual, duke u bërë kështu futbollisti i vetëm profesionist i tanishëm në botë që deklarohet homoseksual.
Ylli i Adelaide Unitedit në ligën elitare australiane e bërë njoftimin përmes një letre dhe një videoje në rrjetet sociale.
Cavallo tha se më në fund u ndje i rehatshëm të flasë publikisht dhe shpreson se deklarimi publik për seksualitetin e vet do t’i frymëzojë të tjerët që janë duke pasur vështirësi.
“E kam jetuar një jetë të dyfishtë dhe e kam fshehur veten e vërtetë”, ka thënë 21-vjeçari.
“Kam diçka personale të cilën kam nevojë ta ndaj me të gjithë. Unë jam futbollist dhe homoseksual”, theksoi Cavallo në një video të postuar në Twitter nga Adelaide United.
Josh's Truth pic.twitter.com/NKSEP2kVWV— Adelaide United (@AdelaideUnited) October 27, 2021
Ai e postoi edhe një mesazh personal në llogarinë e vet në rrjetin social.
“Ka qenë goxha një rrugë e gjatë për të ardhur në këtë pikë në jetën time, por nuk mund të jem më i lumtur me vendimin tim për të dalë publikisht (si homoseksual), nënvizoi ai.
“E kam luftuar seksualitetin tim për gjashtë vjet dhe jam i lumtur që po i jap fund tani kësaj pune. Duke u rritur gjithmonë e kam ndier nevojën për ta fshehur veten sepse ndihesha i turpëruar, i turpëruar se nuk do të isha në gjendje ta bëja atë që doja dhe të isha homoseksual”, rrëfeu ai.
Disa futbollistë të ligave elitare kanë dalë publikisht si homoseksualë por vetëm pas përfundimit të karrierave të tyre.
pic.twitter.com/CwrfpeWRVL— Josh Cavallo (@JoshuaCavallo) October 27, 2021