Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Shqipëria, parlamenti, qeveria të gjitha institucionet në një zë të vetëm të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO, si garancinë absolute të sigurisë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.
Meta ka përshëndet qëndrimin e fundit të KFOR-it, i cili thekson angazhimin e tij, por “që bën të qartë që ekskluzivitetin për rendin dhe sigurinë e ka policia dhe institucionet e Kosovës dhe KFOR-i është në mbështetje të tyre”.
Sipas tij, çdo përpjekje djallëzore, e hapur apo e kamufluar që synon rivendosjen e kontrollit të veriut për KFOR-in, nuk është asgjë tjetër por një përpjekje për të kaluar nga Republika e Kosovës tek Republika e KFOR-it.
“Kjo është ideja kryesore e vetë Beogradit zyrtar, pasi synon që kjo çështje, çështja e Kosovës të transferohet në forumin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku 5 anëtarë të Këshillit të Sigurimit, dy nga të cilët të përhershëm Rusia dhe Kina, por edhe Brazili, Mozambiku dhe Ekuadori nuk e njohin Kosovën”, k theksuar Meta.
“Ideja për të krijuar apo për të kaluar tek Republika e KFOR-it nuk është gjë tjetër vecse kërkesa për status të ri të KFOR-it që kërkon aprovimin e Këshillit të Sigurimit dhe që do të thotë pranimin e rihapjes së çështjes së Kosovës brenda rezolutës 1244”, tha Meta.
Kreu i PL ka theksuar rëndësinë e unifikimit të qëndrimit të gjithë aktorëve në vend në mbështetje të shtetit të Kosovës, të republikës të Kosovës të sovranitetit dhe integritetit të saj.
“Edhe njëkohësisht dua të shpreh edhe mbështetjen për vazhdimin e dialogut dhe unë besoj që tashmë pozita e Kosovës në këtë dialog është shumë e qartë, është një pozitë e atij faktori i cili duhet të udhëheqë në mënyrë më konstruktive drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje, gjithmonë në mënyrë positive, bashkëpunuese dhe në koordinim të ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar. I cili më së fundmi është kthjelluar për faktin se kush ka qenë dhe mbetet minuesi i vërtetë i dialogut dhe i suksesit të tij. Është koha për t’i qëndruar marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit dhe absolutisht kjo është e vetmja rrugë që na çon të gjithëve përpara”, ka thënë Meta.