Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Milan Radoiçiq është larguar nga territori i Serbisë.
Zvezdanoviq, gjatë një paraqitjeje në televizionin N1, tha se sipas informacioneve të tij nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, Radoiçiq ka shkuar në Rusi, raportojnë mediat serbe.
Ish-inspektori i BIA-s: Radoiçiq nuk kishte nevojë për leje
Kur u pyet nëse Radoiçiq ishte larguar nga territori i Serbisë me leje apo ilegalisht, Zvezdanoviq iu referua faktit se Partia Progresive Serbe vazhdon të jetë në pushtet.
“Ai nuk kishte nevojë për leje”, citohet të ketë thënë Zvezdanoviq.
Sipas tij, largimi i pretenduar i Radoiçiqit nga Serbia ka shqetësuar “madje edhe atë pjesë të majës së BIA-s që kishte biznes, skema kriminale me të”.
Radoiçiqit i ishte ndaluar largimi nga Serbia
Siç kujtojnë mediat serbe, pasaporta e Radoiçiqit ishte konfiskuar me vendim të gjykatës dhe atij i ishte ndaluar largimi nga vendi.
Gjithashtu, ai ishte urdhëruar të paraqitej në stacionin policor kompetent më 1 dhe 15 të çdo muaji.
Televizioni N1 ka raportuar se më 29 tetor i ishte drejtuar Gjykatës së Lartë, duke kërkuar informacion nëse Radoiçiq po e respektonte detyrimin për paraqitje të rregullt, por nuk kishte marrë përgjigje.
Milan Radoiçiq kërkohet për sulmin në Banjskë
Milan Radoiçiq, biznesmen dhe ish-nënkryetar i Listës Serbe, është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar lidhur me ngjarjet në Banjskë, për të cilat ai ka marrë përsipër përgjegjësinë.
Ai kërkohet nga autoritetet e Kosovës për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Megjithatë, informacioni për largimin e Radoiçiqit në Rusi mbetet pretendim i Zvezdanoviqit dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
