Milani i është afruar edhe më shumë titullit të kampionit në Serie A, pasi mundi edhe Atalantën në kuadër të xhiros së parafundit kampionale.
“Rossonerët” triumfuan 2:0 ndaj skuadrës nga Bergamo në stadiumin e stërmbushur “San Siro”.
Përkundër rasteve të krijuara, pjesa e parë nuk prodhoi gola në qytetin e modës.
Festën në “San Siro” e solli sulmuesi, Leao në minutën e 57-të kur kaloi në avantazh skuadrën e drejtuar nga Stefano Pioli.
21 minuta më vonë, Theo Hernandez me një super solo-aksion të nisur nga mbrojtja e dyfishoi avantazhin dhe njëherit “vulosi” fitoren e “kuqezinjve”.
Milanit i duhet vetëm një barazim në ndeshjen kundër Sassuolos javën e fundit në kampionat për t’u stolisur me titull të kampionit pas rreth një dekade.
Milani ka 83 pikë në vendin e parë, ndërsa Atalanta tani ndodhet në pozitën e 8-të me 59 pikë.