Milanoviç: Deklarata për bashkëpunim mbrojtës me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk është kërcënim për Serbinë

Milanoviç: Deklarata për bashkëpunim mbrojtës me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk është kërcënim për Serbinë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, deklaroi sot në Shkup se Serbia nuk ka arsye të shqetësohet për deklaratën mbi bashkëpunimin mbrojtës mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Nuk kam marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e këtij dokumenti, por si president i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura e mbështes këtë memorandum. Dhe në një farë mënyre dua t’i qetësoj shtetet fqinje, si për shembull Serbinë, se nuk ka arsye për shqetësim. Maqedonia e Veriut është në NATO, dhe kjo mjafton,” u shpreh Milanoviç në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

I pyetur për pritshmëritë nga marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ku Maqedonia e Veriut është e ftuar të marrë pjesë, Milanoviç theksoi se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare formale.

“Dokumenti që përmendët nuk është marrëveshje, por një deklaratë, pra një memorandum. Është një dokument që është nënshkruar në formë protokolli nga tre ministra të mbrojtjes. Nga pikëpamja e sistemit kushtetues kroat, ai nuk plotëson kushtet për të qenë marrëveshje ndërkombëtare – është thjesht një deklaratë, pa pasoja juridike ndërkombëtare,” tha Milanoviç.

Ai theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova është një shtet mik, që ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe nuk është pranuar zyrtarisht.

“Nëse do të përfaqësoja Maqedoninë e Veriut, nuk do të shqetësohesha fare për këtë çështje. Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por është në linjë me politikën e jashtme të Kroacisë,” shtoi presidenti kroat.

Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, Milanoviç pas takimit me presidenten Siljanovska Davkova, do të takohet edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Related Articles