Mimoza Kusari-Lila dorëzon padi ndaj Sllavko Simiq, shkak përgjimet

Mimoza Kusari-Lila dorëzon padi ndaj Sllavko Simiq, shkak përgjimet

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dorëzuar padi ndaj bashkëbiseduesit të saj në përgjimet e publikuara ditë më parë, Sllavko Simiq.

Kusari-Lila, i ka quajtur “akte penale” dhe “aktivitete dezinformuese” audio-inçizimet të cilat i ka publikuar gazeta Nacionale, ku ajo shihet të koordinohet me politikanin e Listës Serbe për një numër çështjesh parlamentare, e ku përmes tij, gjithashtu komunikon me të sanksionuarin famëkeq dhe në Listë të Zezë të ShBA-së, Milan Radoiçiq.

Kusari-Lila, thotë se këto përgjime dhe dalja e tyre në media, janë fushatë e sulmit ndaj saj dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që ajo mbanë.

“Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Dorëzova Kallzim penal ndaj ish Nënkryetarit të Kuvendit, ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq

Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.

Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023.

Përveç jashtëligjshmërisë së inçizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar.

Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes.

Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.

Të dashur qytetare e qytetarë,

Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.

Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas.

Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit Maj dhe Qershor.

Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit.

Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.

Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre.

Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë.

Related Articles