Një minibus që mbante migrantë të padokumentuar afganë, pakistanezë dhe nga Bangladeshi është përplasur në Turqinë lindore, duke vrarë të paktën 12 vetë dhe duke plagosur 26 të tjerë, sipas autoriteteve lokale.
Sipas mediave të huaja, përplasja ndodhi të dielën në mëngjes në rrethin Muradiye të provincës Van pranë kufirit turk me Iranin, ku automjeti mori flakë pasi u rrëzua në një hendek, thanë dy burime lokale me informacione mbi këtë çështje.
Identiteti i të vdekurve në aksident nuk u bë i qartë menjëherë, thanë të dy burimet, duke shtuar se pronari i autobusit ishte arrestuar.
Transmetimet televizive treguan se të mbijetuarit po trajtoheshin buzë rrugës ndërsa punonjësit e urgjencës po merreshin me rrënojat e djegura.
Ndërkohë guvernatori i Qarkut Muradiye dhe autoritetet policore ishin në vendin e ngjarjes duke marrë informacion nga zyrtarët.
Migrantët, kryesisht nga Irani, Afganistani dhe Pakistani, kalojnë rregullisht kufirin iranian në Turqi në këmbë përpara se të transportohen në perëndim në qytete të tilla si Stambolli dhe Ankaraja.
Tërheqja e planifikuar e SHBA-së nga Afganistani u ka dhënë një shtysë të shtuar burrave të rinj që provojnë rrugën malore, sipas Qendrës me bazë në Ankara për Studimet e Azilit dhe Migracionit.