Varianti Delta, i njohur edhe si varianti indian i koronavirusit, vlerësohet se është 40 për qind më i transmetueshëm sesa varianti që fillimisht u identifikua në Britani, tha të dielën ministri i Shëndetësisë së Mbretërisë së Bashkuar, raporton Gazeta Enigma.
Por, ministri Matt Hancock tha se njerëzit që kanë marrë të dy dozat e vaksinës, do të duhej të ishin njëjtë të mbrojtur nga cilido variant i virusit.
“Kjo shifër, prej rreth 40 për qind më i transmetueshëm, realisht është e dhëna e fundit që kam marrë”, tha ai për Sky News, transmeton Gazeta Enigma.
Varianti Delta tashmë është varianti dominues në Mbretërinë e Bashkuar, ka bërë të ditur Zyra e Shëndetit Publik në Angli.
Në janar, për shkak të përhapjes së variantit britanik, që njihet edhe si varianti Alfa, Mbretëria e Bashkuar vendosi masa të izolimit mbarëkombëtar.
Hancock tha se shifra prej 40 për qind vjen pas analizave që ka kryer grupi i shkencëtarëve, që këshillon Qeverinë britanike.
Përhapja e variantit indian të koronavirusit, ka rritur shqetësimet në Britani, shtet që ka paraparë që më 21 qershor të heqë masat kufizuese kundër pandemisë.
Hancock e pranoi se qeveria ende nuk ka marrë një vendin përfundimtar për heqjen e kufizimeve, për shkak të variantit indian.
“Ne do t’i shikojmë të dhënat edhe për një javë dhe më pas do të marrim vendimin”, tha ai të dielën për BBC-në, duke shtuar se qeveria është e hapur ndaj mundësisë që të shtyjë afatin për heqjen e kufizimeve.
Megjithatë ai tha se dy dozat e vaksinës ofrojnë mbrojtje ndaj variantit Delta.
Sipas të dhënave, Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka vaksinuar mbi 27 milionë persona me dy doza të vaksinës – ku mbi 50 për qind janë persona të rritur – dhe mbi 40 milionë persona me një dozë të vaksinës./Gazeta Enigma/