Politikanët në Gjermani po debatojnë për masa të ngjashme me fqinjin e tyre, Austrinë, ku është futur një bllokim i plotë kombëtar, pasi njësitë e kujdesit intensiv janë mbushur dhe numrat e rasteve arrijnë rekorde të reja.
Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, ka lëshuar një paralajmërim duke u kërkuar më shumë njerëzve të vaksinohen.
“Ndoshta deri në fund të këtij dimri, siç thuhet ndonjëherë në mënyrë cinike, pothuajse të gjithë në Gjermani do të vaksinohen, do të shërohen ose do të vdesin,” thotë Spahn.
Ai fajëson “variantin shumë ngjitës Delta”, shkruan BBC.
“Kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë kaq urgjentisht vaksinimin,” shton ai.
Udhëheqësit gjermanë ranë dakord të enjten për kufizime të reja për të pavaksinuarit, me plane që tua pamundësojnë hyrjen në restorante, ngjarje sportive dhe shfaqje kulturore, ndërsa vendi lufton për të ndaluar një rritje rekord të rasteve me COVID-19.
Me rastet e reja që rriten, udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë ranë dakord pas bisedimeve me kancelaren Angela Merkel, që t’u kërkonin atyre që nuk janë të imunizuar të kenë teste negative në mënyrë që të përdorin transportin publik ose të shkojnë në zyrë.
Për të mbrojtur më të rrezikuarit, ata ranë dakord gjithashtu që ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit në shtëpitë e të moshuarve. /Gazeta Enigma.