Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar shqyrtimi i Projekt-rregullores për ndryshimin e rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.
Me këtë do t’u mundësohet ministrave të cilët udhëheqin ministri të fuzionuara të angazhojnë 10 këshilltarë të brendshëm dhe pesë të jashtëm.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të organizimit të punës së Qeverisë.
“Si rezultat i fuzionimit të ministrive është zgjeruar fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve sot shqyrtojmë projekt rregulloren për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores me të cilën përcaktohen fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive”, ka potencuar Kurti.
Tutje ai ka thënë se “Qëllimi i hartimit të kësaj projekt rregullore është ndryshimi dhe plotësimi për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive ashtu që në rastet kur fusha e përgjegjësisë administrative e dy apo më shumë ministrive që janë fuzionuar, ministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë, gjithashtu edhe në rastet kur dy apo ma shumë ministri janë fuzionuar mund të emërohen nga ministri 5 këshilltarë të jashtëm politikë”.
Kurse zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për ndryshimin e rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive ka thënë se bëhet fjalë për shtimin e kapaciteteve njerëzore në kabinetet e pesë ministrive të cilat janë fuzionuar.
“Ky ndryshim ka për qëllim me iu përgjigj faktit se këto ministri në momentin kur janë shkrirë kanë pësuar një rritje të kompetencave e rrjedhimisht ka qenë … Në këto ministri nga 6 në 10 dhe është në funksion të mbarëvajtjes së plotësimit të këtyre ministrive të cilat janë shkrirë në një”, ka thënë ai.