Ministrja Haxhiu: Pa përfshirjen e grave s’mund t’i bëjmë ndryshimet e synuara

Ministrja Haxhiu: Pa përfshirjen e grave s’mund t’i bëjmë ndryshimet e synuara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Gratë në Politikën e Jashtme” që u mbajt në Shkup, ku u fol për politikat që duhen të ndërmerren për promovimin e dimensionit gjinor në politikën e jashtme.

Në këtë konferencë pjesëmarrëset folën për tema që lidhen me përfshirjen e grave në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe për sfidat e tyre në kohë krizash.

“E adresova së pari kontributin e grave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilat kanë qenë në vijën e parë të frontit. Po ashtu, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës. Pra, pavarësisht se gratë në kohë krizash janë më të shtypura e më të diskriminuara, ato kanë pasur një rol të rëndësishëm”, ka theksuar ministrja Haxhiu.

Ajo përmendi punën që po bëjnë institucionet e Kosovës për barazinë gjinore dhe që gratë mos të jenë të diskriminuara.

“Përmenda edhe punën që po e bëjmë si institucione në mënyrë që gratë në Kosovë të mos jenë të shtypura e të diskriminuara, pra të ketë barazi e drejtësi për to. Duke pasur parasysh se 50 përqind e popullësisë sonë përbëhet prej vajzave dhe grave, besoj se ne nuk mund t’i bëjmë ndryshimet rrënjësore të cilat po i synojmë, pa përfshirjen e tyre. Prandaj, për çdo ditë, ne, si qeveri e shoqëri jemi duke i inkurajuar gratë që të bëhen pjesë e jetës politike”, ka shtuar Haxhiu.

Në këtë forum folën po ashtu edhe përfaqësues të lartë politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët ndanë pikëpamjet, përvojat personale dhe opinionet e tyre për politikat që duhen të ndërmerren për promovimin e dimensionit gjinor në politikën e jashtme.

Related Articles