Ministrja serbe shpallet non-grata, i ndalohet përjetësisht hyrja në Kosovë

Ministrja serbe shpallet non-grata, i ndalohet përjetësisht hyrja në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka shpallur “non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezana Paunović, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi vjen pas deklaratave të ministres serbe, të cilat Sveçla i ka cilësuar si vazhdimësi të politikave të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

“Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se deklaratat e saj nuk janë të reja, por përfaqësojnë vazhdimësinë e një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë dhe krime ndaj shqiptarëve.

“Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës”, ka deklaruar ai.

Sveçla ka bërë të ditur se vendimi është marrë në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Related Articles