Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare, raporton Gazeta “Enigma”.
Me unanimitet të plotë, ata miratuan Projektligjin për ratifikimin e amendamentit 1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 me Bashkimin Evropian dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Qeverinë e Zvicrës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në Kosovë.
Gjatë seancës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se përmes këtij amandamenti, mundësohet shtyrja e afatit përfundimtar dhe ekzekutimit të projekteve të cilat mund të mos i kryen vendi me kohë për shkak të COVID-19.
Ndërsa, sa i përket menaxhimit të resurseve ujore, ai tha se në bazë të marrëveshjes me Zvicrën, kjo e fundit do të japë 18.9 milionë euro.
“Marrëveshja parasheh zhvillimin e një programi i cili siguron krijimin e një kornize funskionale të integruar për mbrojtën, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe shpërndarjen e resurseve ujore për konsumatorët në Kosovë. Ky program pritet të zhvillohet në tri faza në periudhën 2021-2031”, shtoi ai. / Gazeta Enigma.