Miratimi i Strategjisë për sundim të ligjit është mirëpritur jo vetëm nga personat që kanë punuar direkt në këtë proces për një kohë të gjatë, por edhe nga shumë organizata që monitorojnë punë e gjyqësorit.
Lulzim Beqiri, drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane në ministrinë e Drejtësisë, tha se një nga dokumente më të rëndësishme të miratuara nga Qeveria është strategjia për sundimin e ligjit, proces ky i cili ka marrë një kohë të gjatë deri në finalizim.
“Ky proces dallon nga proceset tjera, nga strategjitë e tjera sepse kjo është si produkt i një procesi shumë të gjatë të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit i cili ka filluar në vitin 2016. Ne tashmë e kemi edhe planin e veprimit në kuadër të kësaj strategjie e cila ka ardhur si rezultat i shumë diskutimeve dhe analizave që kanë ndodhur ndër vite”.
“Në fillim që kur kemi startuar me analiza kemi identifikuar të gjitha raportet si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, të gjeturat sa i përket gjithë sektorit por respektivisht sistemit të drejtësisë, çka shihet që ka shumë pakënaqësi dhe siç thonë edhe dokumentet ky sistem çalon shumë andaj duhet një reformë dhe ndryshim rrënjësor që do sjellin një përmasim të drejtësisë në vend, dhe besim tek qytetarët”.
Mes tjerash ai përmend edhe rolin e ndërkombëtarëve në këtë punë, duke pohuar se mbështetja e tyre do të ndikojë te plani pesë vjeçar i kësaj Strategjie.
“Roli i ndërkombëtarëve në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm që nga dita e parë kur ne kemi filluar të hartojmë termat e referencës ne kemi pasur mbështetjen e tyre, duke përmendur këtu dy akterët kyç e ata janë ambasada e ShBA-ve dhe zyra e Be-së në Kosovë, e edhe ambasada britanike. Në planin e veprimit parashihen 300 aktivitete të cilat duhet të realizohen në planin pesë vjeçar”, theksoi tutje ai.
Ehat Miftaraj drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në një deklaratë për EO tha se një nga vendimet më të mira të Kurtit është miratimi i kësaj Strategjie.
Sipas tij, ky dokument ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, dhe që trajtimi i saj do përfshijë një valë të gjatë të punëve mbi zbatimin e mirëfilltë të drejtësisë në vend.
“Një nga vendimet më të mira të qeverisë Kurti mund të themi që është miratimi i strategjisë për sektorin e sundimit të ligjit, e cila ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë të ministrisë së drejtësisë dhe faktorëve të tjerë. Kjo strategji për herë të parë ka për qëllim analizën e një gjendje aktuale në gjitha sektorët e sundimit të ligjit dhe trajtimi i lëndëve të ndryshme. Tashmë për pesë vite sa është paraparë të zbatohet kjo strategji mbetet të shihet se sa do jetë efikase, sa do ketë bashkëpunim dhe koordinim”.
Miftaraj shton se vullneti politik për sundim ligjit ka ekzistuar gjithmonë, por që në praktikë ka pasur ngecje gjithmonë, duke shpresuar që me këtë Strategji besimi i qytetarëve në drejtësi do të kthehet.
“Ka pasur gjithmonë vullnet politik për me ndryshuar sistemin e drejtësisë por që në praktikë gjithmonë ka çaluar, andaj këtu do të shihet interesi në ndryshimin e drejtësisë. Besimi është mjaftë minimal në funksionon e sistemit të drejtësisë nga ana e qytetarëve, andaj shpresoj që edhe përmes vettingut të kthehet besueshmëria”.
Rolin e ndërkombëtarëve Miftaraj e sheh si shumë qenësor për faktin se investimet e tyre kanë qenë gjithmonë me shifra enorme dhe që bashkëpunimi me ta ka një rëndësi të madhe për sistemin e drejtësisë.
“Partnerët ndërkombëtarë kanë investuar me qindra miliona euro për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë por edhe në shumë institucione të sigurisë. Fatkeqësisht sistemet gjyqësore e prokuroriale nuk i kanë përmbushur kërkesat e ndërkombëtarëve, për këtë arsye Kosova gjendet në një situatë aspak të mirë”, ka deklaruar ai.