“Mjaft më” – Mijëra qytetarë marshojnë në Sidnei për Gazën

“Mjaft më” – Mijëra qytetarë marshojnë në Sidnei për Gazën

Mijëra qytetarë marshuan sot nëpër Urën e famshme të Sidneit, pavarësisht reshjeve të shiut, duke kërkuar paqe dhe ndihmë urgjente për popullin e Gazës, i cili po përballet me një krizë të rëndë humanitare pas gati dy vitesh lufte.

Protestuesit, në një ngjarje të quajtur “Marshimi për Njerëzimin”, mbajtën në duar tenxhere dhe tiganë, në një akt simbolik për të tërhequr vëmendjen ndaj urisë në Gaza. Sipas Autoritetit Palestinez, mbi 60,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, ndërsa OKB dhe organizata të tjera paralajmërojnë për mungesë të theksuar të ushqimit.

“Kur njerëz nga e gjithë bota bashkohen dhe flasin hapur, atëherë e keqja mund të mposhtet,” tha një nga pjesëmarrësit, Doug, në të 60-at, që mbante pankarta për paqe.

Marshi përfshinte qytetarë të të gjitha moshave – nga të moshuar deri te familje me fëmijë të vegjël. Midis tyre ishte edhe themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i cili mori pjesë aktivisht në protestë. Disa protestues valëvitnin flamuj palestinezë dhe brohorisnin “Ne jemi të gjithë palestinezë”.

Marshimi u zhvillua pavarësisht përpjekjeve të policisë së Uellsit të Ri Jugor dhe autoriteteve për ta ndaluar, me arsyetimin se mund të shkaktonte probleme sigurie dhe ndërprerje të trafikut. Megjithatë, një vendim i Gjykatës Supreme një ditë më parë lejoi mbajtjen e protestës.

Policia vendosi qindra oficerë përgjatë rrugës, duke bërë thirrje për protesta paqësore. Një marshim i ngjashëm u mbajt edhe në qytetin e Melbourne, ku qytetarë të shumtë dolën në rrugë në shenjë solidariteti me popullin palestinez.

Organizatorët thonë se protesta të ngjashme do të vazhdojnë derisa të ndërpritet lufta dhe të sigurohet ndihma për civilët në Gaza.

Related Articles