Vetëm katër persona më sëmundjen COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, në ditën e fundit të vitit. Ndërkohë, në 24 orët e fundit, janë regjistruar 42 raste të infektimit me koronavirus. Pavarësisht gjendjes së qetë me pandeminë, drejtori i SHSKUK-së ka apeluar që qytetarët të shmangin grumbullimet, meqë, sipas tij, në javët e para të janarit mund të përballemi me valë të re të infektimeve.
Edhe në ditën e fundit të vitit 2021, në Klinikën Infektive po vazhdon trajtimi i pacientëve me COVID-19.
Aty janë shtruar vetëm 4 pacientë të konfirmuar me këtë sëmundje. E në dy muajt e fundit kjo shifër nuk është që lëviz aq shumë, për shkak të situatës së qetë që pati Kosova.
Megjithatë, ata që u përballën më së shumti me pandeminë në 12 muajt e këtij viti presin që në javët e para të janarit vendi të përballet edhe me një valë të re infektimesh, si shkak i variantit Omicron.
“Ajo që kemi mësuar nga valët e kaluara, as Kosova s’i ka shpëtuar asnjë vale”, ka thënë Valbon Krasniqi, drejtor i SHSKUK-së.
Krasniqi, teksa bën thirrje që të gjithë qytetarët të vaksinohen e t’i respektojnë masat, thotë se me gjithë pandeminë ata u kujdesën që të ofrojnë edhe shërbime të tjera.
Mosrespektimi i masave kundër COVID-19 e grumbullimet e shpeshta gjatë muajve të verës Kosovën e vendosën disa herë në listën e kuqe, për shkak të numrit të madh të infektimeve me COVID-19./Gazeta “Enigma”/