Molliqaj për Kurtin: Kryeministër të dezinformimit

Molliqaj për Kurtin: Kryeministër të dezinformimit

Lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti ‘kryeministër i dezinformimit’, duke thënë se në fjalimin e tij të pavarësisë u sulmuan mediat dhe kundërshtarët politikë për dezinformim.



Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj tha se fjalimi i tij nuk ishte thirrje për ndriçimin e të vërtetave, por krijimin e një të vërtete zyrtare.

“Gjysmë të vërtetat enden gjithandej, por ato nuk i rregullon dot Qeveria. Në anën tjetër, pa mediat e lira në vend të kërkesave për rritje pagash, do të ishim duke e ngrënë idilikën e “mrekullisë ekonomike” të Qeverisë që na tregon se u rrit eksporti, por nuk na thotë sa u rriten importet”, shkroi Molliqaj.

Ai tha se lajmet e rreme po krijohen nga Qeveria Kurti.

“Të drejtën për fjalën e lirë as nuk e marrim e as nuk e jep një autoritet nga sipër. Liria dhe të drejtat na takojnë dhe nuk na duhet garancë për ushtrimin e tyre. Nevoja për t’u dukur demokrat zbuloi tendencën për ta kontrolluar edhe hapësirën që buron nga qytetaria dhe mediat e lira. Në fakt, lajmet e rreme po prodhohen nga kjo Qeveri. Rritja e çmimit të energjisë është rasti i fundit i tendecës për mashtrim, që nuk i shkoi gjatë. Paramendoni nëse nuk do të kishte media të lira dhe protesta qytetare? E vërteta zyrtare do të lulëzonte, apo jo?”, shtoi tutje Molliqaj.

Related Articles