Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, të mërkurën, ka pranuar urimet nga legjenda e futbollit, Samuel Eto’o për rekordin e vendosur për gola të shënuar në La Liga për Mallorcan.
Në videon e postuar nga klubi spanjoll, Muriqi ka thënë se nuk e ka pritur se Eto’o do t’i dërgonte urime.
“Nuk e prisja këtë, me të vërtetë. Por, faleminderit shumë për këtë video nga një legjendë e vërtetë si Samuel Eto’o. Me të vërtetë i vlerësoj fjalët e tij. E di se ai ka bërë punë të madhe këtu, dhe të gjithë e dinë se si ka shkuar karriera e tij. Kështu që jam shumë i lumtur që gjeti kohën për ta bërë këtë video për mua. Luaj në futboll profesionist për 15 apo 16 vjet. Nëse do të më kishit thënë para 15 vjetësh se një ditë Samuel Eto’ do të bënte video për mua, do të thosha se kjo është e pamundur, se do të ishte shaka. Dhe shiko tani, jemi këtu sot. Jam shumë krenar me veten dhe shumë falënderime ndaj tij për videon. E them gjithmonë, faleminderit bashkëlojtarëve, gjithë stafit të klubit, gjithë tifozëve, familjes, ishullit… Sepse pa ju, e them këtë nga thellësia e zemrës, do të ishte i pamundur të arrihej ky sukses. Faleminderit shumë!”, është shprehur Muriqi.
Më pas, Muriqi është pyetur se a i pëlqeu kjo video.
“Nuk e prisja me të vërtetë. Mendova se do të mi shfaqnit golat e mia, ato tashmë i di”, thuhet në fund të videos së Muriqit.
Me dy golat e shënuar të dielën, Muriqi e theu rekordin e Samuel Eto’os, si golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga.
Muriqi është golashënuesi i dytë më i mirë në ligën spanjolle të futbollit me 21 gola e një asistim.
Dy gola më shumë se “pirati” i ka vetëm sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe.
