Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi është përplasur me analistin Imer Mushkolaj në lidhje me dialogun në Bruksel dhe qëndrimin e kryeministrit Kurti në raport me Asociacionin.
Deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi thotë se Ekipi menaxhues për Asociacionin ishte paraparë të formohet qysh në marrëveshjen e vitit 2015.
“Natyrisht qëndrimi i LVV-së dhe i kësaj Qeverie është krejtësisht ndryshe në raport me Asociacionin. Ekipi menaxhues për Asociacionin edhe në aspektin formal ka konflikt interesi pasi aty është edhe një deputete e Kuvendit të Serbisë. Ky ekip e ka përmbyllë jo vetëm punën, por edhe rolin e tyre”.
Rrustemi, ka thënë se personalisht është kundër Asociacionit, me apo pa kompetenca ekzekutive.
Por, sipas tij, duhet të shihen edhe disa segmente të tjera, sic janë raportet me ndërkombëtarët dhe proceset integruese në organizata ndërkombëtare.
“Unë sa i përket bindjeve të mia, politike profesionale, Kosova nuk ka nevojë fare për Asociacion as me kompetenca as pa. Por, është një dimension i rrafshit diplomatik, edhe për raportet me ndërkombëtarët, me lëvizjen e Kosovës përpara. Veç barrikadimi në një qëndrim të caktuar edhe kur e beson plotësisht, mund të mos jetë i dobishëm”, ka thënë tutje Rrustemi.
Ndaj Rrustemit ka reaguar Mushkolaj i cili thotë se qysh moti është ditur se Ekipi menaxhues ka në përbërje deputeten e Serbisë dhe ai punon në interes të Serbisë.
“Kur një ekip që është formuar në emër të Kosovës nuk i përgjigjet Qeverisë së Kosovës, çka të duhet ai ekip. Drafti i prezantuar nga ai ekip është shumë serioz sipas amerikanëve. Nuk ka pasur kurrfarë arsye që ai ekip të mos shkarkohet”.
“Mos provoni të shitni përralla. Zoti Kurti vepron me dy standarde: në njërën anë thotë se është kundër Asociacionit, s’ka Asociacion. E nga ana tjetër shkon në Ohër e nënshkruan marrëveshje që pranon Asociacionin. Ne nuk jemi budallenj.”, i është drejtuar tutje Mushkolaj, Rrustemit.
Derisa Rrustemi i është kundërpërgjigjur Mushkolajt duke i thënë se kanë evoluar zhvillimet në lidhje me Asociacionin.
“Kanë evoluar zhvillimet, por qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar”, ka deklaruar Rrustemi