Një person është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:00 në fshatin Sopniq të Rahovecit. Bashkëvendësit thonë se vëllezërit kishin problem edhe në të kaluarën.
Për problem familjare që ende nuk dihen se cilat ishin, dyshohet se 58-vjaçari plagosi me armë zjarri vëllain e tij 65-vjeçar në Sopniq të Rahovecit.
I plagosuri ishte dërguar në fillim në QKMF-në e Rahovecit e më pas në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Mjeku kujdestar Jeton Vorfi thotë se 65-vjeçari erdhi në spital me tri plagë të rënda që ishin fatale për jetën e tij.
“65-vjeçari ka ardhur i gjallë, por në gjendje shumë kritike. Për shkak se ka pasur dy plagë hyrëse-dalëse në gjoks dhe një në qafë pacienti është reanimuar dhe i është vendosur edhe një tub torakal për të mos i dalë gjaku, mirëpo lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe nuk iu ka mbijetuar pas gjysmë ore”, shprehet për RTV Dukagjinin, mjeku Jeton Vorfi.
Kryetari i fshatit tregon se edhe në të kaluarën vëllezërit kishin pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar, përcjell Telegrafi.
“Janë vëllezër në mes veti dhe një mosmarrëveshje e vogël duket se ka quar në tragjedi. Ne të gjithë kemi mosmarrëveshje nga pak me njëri-tjetrin. Këta edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje të vogël, por unë pata insistuar të pajtohen. Kur iu ka vdekur nëna, djemtë e të ndjerit e patën marrë axhën dhe nuk kanë pasur më mosmarrëveshje. Tash kemi mbetur pa fjalë. Nuk ka as tri-katër ditë që kemi qëndruar së bashku në park.
Sipas djemve të tyre zënka e tanishme ka ndodhur për disa fjalë. Thjesht problem familjarë”, tregon kryetari i fshatit Melsur Gashi. I dyshuari për këtë rast sipas policisë është arrestuar dhe dërguar në paraburgim për 48 orë.