Mourinho thotë se ka lidhje emocionale me Newcastle, klubin më të pasur në botë tani

Mourinho thotë se ka lidhje emocionale me Newcastle, klubin më të pasur në botë tani

Jose Mourinho ka thënë se e ka një lidhje, siç e ka quajtur ai, emocionale, me Newcastle Unitedin, pas lajmeve se klubi i sapoblerë nga sheikët arabë dëshiron ta emërojë atë në postin e trajnerit.

Javët e fundit kanë qenë shumë të hareshme në St James’ Park, pasi Newcastle u ble për 300 milionë funte nga Fondi Publik për Investime i Arabisë Saudite, zyrtarët e të cilit thanë se synimet e tyre janë lufta për titull në Premierligë në të ardhmen e afërt.

Trajneri Steve Bruce nuk e ka më vendin e sigurt, sidomos tani që projekti i madh ka filluar, dhe Mourinho është përmendur si një zëvendësues i mundshëm i tij.

Portugezi u përgjigj ndaj këtyre thashethemeve gjatë një konference për media në Romë.

Mourinho, i cili i ka fituar tre tituj të Premierligës me Chelsean dhe ka qenë në stolin e Manchester Unitedit dhe Tottenhamit po ashtu, kishte punuar me ish-trajnerin legjendar të Newcastle, Sir Bobby Robson, në fillim të karrierës së vet si trajner në Barcelonë.

Mourinho thotë se si pasojë e ka krijuar një ndjesi të veçantë për Newcastle.

“Për Newcastle nuk kam asgjë për të thënë. Aspak”, tha Mourinho.

“Por e vetmja gjë që mund ta them është se për shumë, shumë vite, unë kam punuar me njërin prej figurave më të rëndësishme në historinë e Newcastle, Sir Bobby Robson, prandaj për këtë arsye unë gjithmonë e kam pasur një lidhje emocionale me qytetin dhe tifozët. Asgjë më shumë se kaq”, shtoi ai.

Related Articles