Roma ka arritur ta fitoj ndeshjen e radhës miqësore, ku janë përballur me Tottenham Hotspur në Izrael.
Giallorosët triumfuan me rezultat minimal 1-0, falë një goli në pjesën e parë nga Roger Ibanez i cili shënoi me kokë pas asistimit nga Paulo Dybala.
Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me futbollistët e dy skuadrave që disa herë janë përplasur mes vete.
Jose Mourinho u tha se është pajtuar me Antonio Conten pas disa deklaratave që dyshja kishin dhënë për njëri tjetrin vite më parë.
Por portugezit nuk i ka dalë inati me italianin dhe e ka thumbuar menjëherë pas ndeshjes në llogarinë e tij në Instagram.
Mourinho ka ironizuar duke thënë se ishte një stërvitje e mirë, derisa mediat italiane po e cilësojnë deklaratën e tij si thumb drejt Contes dhe Tottenhamit.
Gjithsesi portugezi ka shkruar fjalë të mëdha për yllin brazilian të Spurs, Lucas Moura të cilin e përqafoi shumë pas ndeshjes.
“Një seancë e mirë stërvitore me një skuadër të madhe. Dhe një nga gjërat e mëdha në futboll janë njerëzit mahnitës me të cilët kryqëzon rrugët e jetës”, shkroi Mourinho, ku postoi foton me Lucas Mouran duke e puthur atë.
Gjithsesi mbetet të shihet nëse Conte do të ketë përgjigje për këtë thumb të Special One.