Ministria e Punëve të Brendshme iu ka sugjeruar qytetarëve që planifikojnë t’i shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme.
Përmes një komunikate për media, MPB ka bërë të ditur se Policia e Kosovës po qëndron në të gjitha pikat kufitare me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, më konkretisht pas vendosjes së reciprocitetit për targat nga Serbia.
MPB ka bërë me dije se përgjatë 24 orëve janë lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese.
“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”, thuhet në njoftim.
MPB iu ka sugjeruar qytetarëve që planifikojnë t’i shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme.
“Me qëllim të mundësimit të qarkullimit të lëvizjes së lirë, njoftohen qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”, thuhet në njoftim.
Tutje MPB deklaron se situata është e qetë dhe pa incidente.
“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën e qetë dhe pa incidente, ndërsa angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdojë në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën ka marrë vendim për vendosjen e reciprocitetit për targat e Serbisë.
Të gjitha veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë, janë të obliguara të vendosin tabelat e përkohshme “RKS”.