Qeveria e Kosovës, ka planifikuar që inspektorët me baçelor të inspektojnë mësimdhënësit me master, edhe pse këta të fundit kanë një gradë më të lartë të edukimit se sa inspektorët.
Kriteri i çuditshëm është vendosur në një konkurs të 18 majit, që e ka hapur Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, për nevojat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Por rekrutimi i këtyre inspektorëve arsimorë për qendrat: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren po vazhdon të përcillet me mjaft paqartësi në përzgjedhjen e kandidatëve pikërisht për shkak se kriteret janë vendosur nga ministria, të cilën e udhëheq Xhelal Sveqla.
Sidoqoftë 21 inspektorë parashihen të përzgjidhen nga ky konkurs, në mënyrë që numri i inspektorëve aktualë të Ministrisë së Arsimit, nga 22, sa ka aktualisht, të bëhet 41.
Sipas konkursit të hapur nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, kriteret të cilat duhet të plotësojnë kandidatët janë minimale, ani pse pozita e Inspektoratit të Arsimit është një pozitë mjaft e rëndësishme për zhvillimin e arsimit cilësor.
Ministria arsyetohet se kriteret janë përcaktuar në bazë të Ligjit Nr 06/L-114 për Shërbyesit Civilë, ligj ky i cili ka kritere minimale për pranimin në punë të zyrtarëve publikë si:
Aty kërkohet diploma e arsimit të lartë, së paku 3 vjet të studimeve, përvoja e punës së paku 2 vjet në fushën, për të cilën zhvillohet procedura, me theks të veçantë përvojë e punës në mësimdhënie.
Por si është e mundur që punonjësit e arsimit të inspektohen nga inspektorë të cilët kanë kaq pak përvojë pune dhe kanë përfunduar vetëm arsimin universitar edhe atë me gradën Bachelor, pa qenë fare të specializuar në asnjërën nga fushat e sektorit të arsimit?
As Ministria e Arsimit e as ajo e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë një përgjigje precize për këtë fakt, njofton Klan Kosova.
Megjithatë i gjithë ky lëmsh vije si rezultat i ligjeve kontradiktore që përfshin këtë sektor.
Bëhet fjalë për kontradiktat që lindin mes ligjit për shërbyesit civil dhe atij të për Inspektoratin Arsimor.
Ministria e Brendshme shpalli konkursin duke u thirrur në ligjin e parë, atë për shërbyesit civili i cili kërkon vetëm shkollimin bazë, por ai për Inspektoratit Arsimor, kërkon të tjera kritere
Në ligjin për inspektoret e arsimit, thuhet se një inspektor duhet të ketë paktën gradën master, përvoja e punës së tij të jetë më së paku 5 vjeçare duke specifikuar fushën e arsimit, madje për inspektoret që duhet të vlerësojnë performancën e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve duhet të kenë së paku dhjetë (10) vite përvojë pune në arsim.