Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pas vaksinimit me dy doza të vaksinës anti-COVID, duhen dy javë për të arritur imunitetin e duhur.
MSH në një postim në Facebook thotë se vaksinimi është mbrojtja e vetme nga COVID -19 dhe variantet e tjera.
“Mbrojeni veten plotësisht nga variantet e tjera të COVID-19 dhe veçanërisht nga Delta”, thuhet në njoftim.
“Dy javë nga marrja e dozës së dytë janë tejet të rëndësishme të fitoni imunitetin nga vaksina”, thuhet tutje.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë përmes një video-incizimi ka treguar gjendjen e mushkërive të pacientëve të vaksinuar dhe atyre të pa-vaksinuar.
Në video të MSh-së, pulomologu Shpëtim Thaçi ka treguar se personat që janë vaksinuar janë duke e kaluar më lehtë coronavirusin.
Ai ka thënë se personat e vaksinuar të sëmurë me COVID-19 do të kalojnë një formë të lehtë të sëmundjes me ndryshime minimale në shëndet, duke mos pasur nevojë të hospitalizohen dhe duke mbrojtur jetën e tyre.
Kurse sipas tij personat e pavaksinuar e të sëmurë me koronavirus do të mund të kalojnë një formë të rëndë të sëmundjes për shkak të prekjes së madhe të sistemit respirator nga ky infeksion.
“Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin”, thotë MSH-ja.
Të hënën (30 gusht) në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.