Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë informacione nëse ka kontaktuar një kompani prodhuese të vaksinave Pfizer, e cila, sipas deputetit të PDK’së, Bekim Haxhiut i ka premtuar vendit deri në 3 milionë vaksina. Ky i fundit ka thënë se deri dje nga MSH nuk i janë adresuar kësaj kompanie.
Ndonëse më 18 prill të këtij viti deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë kontaktet e një kompanie prodhuese të vaksinave Pfizer, e cila, sipas tij, ka premtuar deri në 3 milionë doza për Kosovën, nga kjo ministri nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar kërkesë te kompania për furnizim.
Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë se deri dje kërkesa për furnizim me vaksina nuk është bërë.
Ai ka thënë se për më shumë nuk është informuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi çështjen e kontakteve e ka kaluar te kjo e fundit.
Deputeti Haxhiu ka treguar se përmes një email-i ai është njoftuar nga sekretari i Minsitrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, se ka autorizuar Komitetin për vaksinim që të vazhdojë me procedurat e mëtejme.
“Mua më ka ardh një email nga sekretari se ai ka autorizuar Komitetin për vaksinim që të vazhdojë procedurën, kjo tani është çështje e Ministrisë së Shëndetësisë. Deri më tash, sa kam informata, ministria asnjë kërkesë nuk e ka dorëzuar”, ka thënë ai.
Haxhiu është shprehur se procesi i vaksinimit është në interes të qytetarëve, andaj Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë transparente.
“Ne jemi vendi i fundit në rajon dhe Evropë që nuk kemi asnjë kontratë për vaksina. Ky është proces në interes të qytetarëve, ata e kanë obligim të jenë transparent e t’i informojnë qytetarët për procesin”, ka thënë ai për Express.
Përndryshe, nga Haxhiu është bërë e ditur se dozat e para të vaksinave nga kjo kompani prodhuese do të vinë tre javë nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Përkundër nevojës së shprehur për vaksina shtesë, nga Ministria e Shëndetësisë pas takimit të mbajtur me deputetin Haxhiu nuk kanë dhënë informacione nëse i kanë verifikuar kontaktet që u janë dhënë e nëse i kanë dërguar kompanisë kërkesë për furnizim.
Kosova larg shteteve tjera për vaksinim.
Kosova vazhdon të qëndrojë larg shteteve të rajonit në lidhje me vaksinimin.
Derisa Kosova është furnizuar me vetëm 24 mijë doza të vaksinave dhe deri tani ka vaksinuar mbi 20 mijë persona, Shqipëria është furnizuar me 703 mijë e 550 doza vaksinash, ndërsa në këtë shtet janë vaksinuar rreth 350 mijë persona.
Serbia deri tani ka vaksinuar mbi 3 milionë persona. Së fundmi ky shtet ka vaksinuar rreth 36 mijë persona për çdo ditë.
Mali i Zi ka vaksinuar mbi 56 mijë persona. Ky shtet së fundmi ka vaksinuar mbi 1 mijë e 600 persona në ditë.
Ndërsa, Maqedonia e Veriut ka vaksinuar mbi 41 mijë persona. Në javën e fundit, ky shtet ka vaksinuar rreth 2 mijë persona në ditë.
Edhe shtetet tjera, qëndrojnë shumë më mirë se Kosova në lidhje me furnizimin me vaksinim e me administrimin e vaksinave.
Derisa vendi është furnizuar me vetëm 24 mijë doza të vaksinave, drejtorë të shëndetësisë në vend kanë treguar për Express se kërkesat për t’u vaksinuar janë shumë të mëdha, kësisoj vaksinat që kanë në dispozicion janë të limituara.
Ata kanë treguar se kërkesat më të mëdha për vaksinim po u vinë nga moshat 75-79 vjeçare.
Një pjesë e personave të interesuar do të mund të vaksinohen në muajt e ardhshëm, kur vendi pritet të furnizohet me vaksina shtesë.
Kosova pritet të furnizohet në qershor edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Kosova do t’i përfitojë 95 mijë doza të vaksinave nga muaji maj.