Kosova pritet që ta zhvillojë një ndeshje miqësore me San Marinon në muajin qershor edhe pse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht një gjë e tillë. Kombëtarja e San Marinos renditet në vendin e 210-të në ranglistën e FIFA-s, dhe tradicionalisht ka qenë një kundërshtar i lehtë për kombëtaret që janë përballur me të.
Marrë parasysh që kundërshtari është dukshëm më i lehtë, kjo mund të jetë një mundësi e mirë që futbollistët e Superligës së Kosovës të ftohen nga trajneri Bernard Chalanders.
Drejtori Sportiv i kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti ka theksuar se çështja e ftesave eventuale të futbollistëve nga Superliga e Kosovës është në kompetencë të trajnerit, ndërsa ka treguar se ai vet është i interesuar që të ketë futbollistë të ftuar, duke shtuar se trajneri është vazhdimisht në përcjellje të futbollistëve nga Kampionati i Kosovës.
“Është në kompetencë të trajnerit dhe natyrisht që ai vendos në lidhje me ftesat e futbollistëve. Unë tashmë jam në një detyrë tjetër, si drejtor sportiv, por prap jam aty, në shtab. Sidoqoftë edhe trajneri është i i nteresuar që të ketë futbollistë nga Superliga e Kosovës, dhe vazhdimisht është duke e përcjellur. Mendoj se do të ketë futbollistë të ftuar”.
Kujtojmë që para ndeshjeve të fundit zyrtare të muajit të kaluar, trajneri Chalenders është kririkuar, për siç është thënë, neglizhim të potencialit të lojtarëve nga Superliga e Kosovës, veçmas për Mirlind Daku, i cili sipas njohësve të futbollit, ka merituar të jetë pjesë e grumbullimit të lojtarëve të reprezentacionit.