Java e 12-të në kampionatin francez do të marrë jetë të premten në mbrëmje me një duel tepër interesant, sepse në fushën e lojës do të zbresin PSG dhe Lille.
Dy skuadrat që edicionin e kaluar diskutuan deri në fund titullin kampion, por në këtë sezon gjërat kanë ndryshuar shumë.
Pavarësisht faktit se PSG kryeson bindshëm kampionatin me 7 pikë më shumë se Lens, lajme jo të mira vijnë nga infermieria e klubit në prag të takimit me Lille.
Në ‘Parc des Princes’, Pochettino do të jetë pa Hakimi-n pas ndëshkimit të tij në klasiken ndaj Marsejës, por në orët e fundit është konfirmuar edhe mungesa e Mbappesë.
Si të mos mjaftonin këto mungesa, në pikëpyetje është edhe Leo Messi, i cili vuan një dëmtim të lehtë muskulor.
Mëngjesin e të premtes mund të vijë konfirmimi për ish-in e Barcelonës, nëse do të grumbullohet apo jo me skuadrën.
Aktualisht të dëmtuar janë edhe Paredes dhe Verrati, por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e sulmuesit francez, Mbappe.
22-vjeçari vijon të jetë vendimtar për skemat e skuadrës dhe mungesa e tij mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në sfidën e javës së 12-të në kampionat, por edhe në Ligën e Kampioneve, pasi rikthimi i Mbappe nuk është konfirmuar ende.
Sulmi i PSG tashmë pritet t’i besohet treshes Neymar-Icardi-Di Maria, por përsëri, shifrat e tre lojtarëve nuk janë bindëse. Braziliani ka shënuar vetëm 1 gol në gjashtë takimet e këtij edicioni në Francë, Mauro më shumë ka ardhur nga stoli, por përsëri ka bërë më mirë se Neymar, sepse ka shënuar 3 gola në gjashtë prezenca.
Në fund, Di Maria, argjentinasi i cili gjithashtu ka vuajtur mungesën e finalizimit, me vetëm një rrjetë në shtatë takime.
Një disfatë ndaj Lille nuk do të rrezikonte vendin e parë në këtë javë, por pa diskutim që do të përforconte kritikat ndaj skuadrës dhe teknikut Pochettino, i cili më shumë është kritikuar se vlerësuar në këtë sezon, pavarësisht rezultateve të arritura.
Parizienët kryesojnë si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampioneve.
Në pamje të parë, dueli PSG-Lille është i balancuar dhe ky është një avantazh për kampionët aktualë të Francës, të cilët janë të ‘uritur’ për pikë, sepse renditja nuk premton, por gjithashtu janë të gatshëm t’i bejnë keq PSG.
/Gazeta Enigma/