Kryetrajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka ndezur derbin e madh të futbollit kosovar kundër Dritës.
Prishtina dhe Drita e zhvillojnë klasiken e futbollit të Kosovës të mërkurën me fillim nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Munishi ka thënë se të mërkurën e tregojnë për madhështinë e Prishtinës.
“Të mërkurën do të tregojmë se sa e madhe është Prishtina, sepse “rrethet” kanë filluar të çojnë kokën si shumë. Plisat do të bëjnë atmosferë siç i ka hije klubit më të madh shqiptar” – ka thënë Ismet Munishi për faqen zyrtare të klubit.
Derbi mes Prishtinës dhe Dritës ishte paraparë të zhvillohet në xhiron e tretë kampionale, por ishte shtyrë për shkak të ndeshjes së Ballkanit në stadiumin kryeqytetas në garat evropiane.
Drita pas xhiros së tetë prin në tabelë me 17 pikë, Prishtina zë vendin e katërt me 11 pikë.