Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur rreth rritjes së numrit të ministrive nga 15 sa ishin në 19 në total, shkruan Gazeta Enigma.
Këtë ai e ka arsyetuar me faktin se ka pasur raste kur një dikaster ka qenë shumë i gjerë dhe nuk është arritur efikasiteti që e kanë paraparë.
“Sa i përket numrit të ministrive, edhe kritika edhe argumenti ka qenë që të mos ketë ministri apo dikastere të cilat bëhen sa për të akomoduar koalicionet e gjera që bëheshin në të kaluarën. Kishte ministri që kishin 7 zv.ministra, 5 zv.ministra, ndoshta jo aq e nevojshme. Në rastin tonë nuk është kjo nevojë që të ketë koalicion të gjerë sepse kemi shumicën e nevojshme. Megjithatë është parë gjatë mandatit të kaluar që nuk është arritur sinergjia e cila ishte synuar. Ka pasur raste kur dikasteri ka qenë shumë i gjerë dhe nuk është arritur efikasiteti i nevojshëm që është synuar qysh në fillim të mandatit. Prandaj është paraparë që të ketë një riorganizim tek Ministria e Punëve të Brendshme me Administratën Publike dhe Digjitalizimi të ketë një ndarje prej bashkimit që ishte bërë më herët”, ka deklaruar Murati.
