Hekuran Murati, ministri i Financave, ka ironizuar me deklarimet e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës se në rastin e rrahjes në Kuvend të enjten, ata ishin vetëmbrojtur nga qeveritarët.
Murati ka publikuar një fotografi në Facebook, në të cilën shihen deputetët e PDK-së që i afrohen foltores dhe qeveritarëve.
Ai ka thënë se shpreson që pamjet t’i shohin edhe hetuesia e prokuroria.
“Se a ishte rasti i djeshëm vetëm aksion simbolik e spontan i një deputeti, apo veprim i paramenduar e i planifikuar nga PDK, e dëshmon fotoja më poshtë. Se kush kë e sulmoi, qytetarët e kanë parë në video. Shpresoj që edhe hetuesia e prokuroria të kenë parë videot e njëjta që panë qytetarët”, ka shkruar Murati.
Ndërsa për deklaratat e deputetëve të PDK-së, që thanë se kanë vepruar në vetëmbrojtje, Murati ka ironizuar duke thënë se “ata vrapuan nga fundi i sallës drejt nesh, që të vetëmbroheshin”.
“A, nëse i keni dëgjuar mbrëmë analistët nëpër studio dhe deputetët që më sulmuan, edhe mund të krijohet përshtypja se deputetin Lushtaku e sulmuam nga ulësja e qeverisë e ai u vetëmbrojt te ulëset e qeverisë. E me të parë Mërgimin teksa vetëmbrohej, Hajdar Beqa e Bekim Haxhiu u nisën nga fundi i sallës me vrap drejt nesh, që të vetëmbroheshin edhe ata”, ka shkruar më tej ai.
Murati është një nga katër zyrtarët e lartë që janë intervistuar të premten për rastin e rrahjes.