Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me opozitën.
Musliu-Shoshi, në Klan Kosova, tha se në vazhdimësi kanë kërkuar nga Kurti që të jetë transparent dhe asnjëherë nuk kanë marrë transparencë nga ai.
“Është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje që në vazhdimësi ka kundërshtuar çdo marrëveshje e cila është bërë në Bruksel. Madje nuk është kursyer as nga protestat e hedhja e molotovëve e gazlotsjellës në Kuvend dhe sot pikërisht është duke u përballur me këtë”.
“Sot është duke negociuar për çështje të brendshme. Si PDK në vazhdimësi kemi kërkuar që të jenë transparent dhe në vazhdimësi kemi ofruar bashkëpunim”, tha Musliu-Shoshi.
“Në mënyrë që ne të mbështesim Kurtin kemi treguar kushtet tona, plani franko-gjerman është derivat i negocimit të zotëri Kurti dhe jo që dervion nga marrëveshjet e kaluara. Nëse marrëveshjet e kaluara që kanë qenë të këqija sipas tij ai është dashur t’i sjell në Kuvend dhe të njëjtat të zhbëhen. Por, ai nuk i ka sjell që nënkupton se deri tani i ka pranuar dhe deri sot asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me opozitën” tha ajo.