Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i ka reaguar Qeverisë për punimet në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se punimet në këtë rrugë janë zvarritur mjaftueshëm, teksa do të përfundojnë në vitin e ardhshëm.
Për këtë deklaratë, Mustafa ka thënë se Qeveria u zotua se do t’i përfundojnë punimet vitin e ardhshëm, por buxhetin që e kanë përgatitur vetë, e kanë vlerësuar se punimet vazhdojnë edhe në vitin 2023 dhe 2024 me nga 2 milionë euro.
“Në njërën anë deklaruan rreth zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë se “… në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim komplet punimet…” Në anën tjetër në buxhetin që e kanë përgatitë vet kanë vlerësuar se punimet vazhdojnë edhe në 2023 dhe 2024 me nga 2 milionë euro. Në fakt, për vitin 2022 kanë ndarë më së paku buxhet, vetëm 1 milion”, shkroi në Facebook Mustafa.
Ndryshe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot konferencë së bashku me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, rreth punimeve në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
“Jemi këtë së bashku me kryetarin Bulliqi, të konstatojmë një zvarritje, përveç që është e dëmshme, është edhe e paarsyeshme, teksa sektori dy do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim punimet dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme, në këtë mënyrë që kjo rrugë që e lidh llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar, dhe njerëzit të mos kenë më vështirësi në këtë trafik kaq të dendur, sikur të ishte në mes të Prishtinës”, potencoi Kurti.