Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar rreth rastit të djeshëm që ndodhi me nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Në media është raportuar se këta të fundit janë lënë anash në “Festën e Abetares”, derisa ky rast është konsideruar diskriminues.
“Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nagavci thotë se Ministria e Arsimit ka marrë një varg politikash gjithëpërfshirëse për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
“Sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile”.
“Për rastin e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”.
Ministrja e Arsimit thotë se megjithatë Kosova ka ende shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve.