Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar të gjithë mësimdhënësit në ditën e tyre.
Ajo ndër të tjera i falënderoi për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e tyre, njofton Klankosova.tv.
“Të dashur mësimdhënës, Urime Dita e mësuesit! Në këtë ditë të rëndësishme, ju falënderoj për punën dhe përkushtimin tuaj në arsimimin e brezave të rinj. Roli juaj në procesin edukativo-arsimor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë”, shkroi Nagavci në Facebook.
“Mirënjohje pa fund për të gjithë mësimdhënësit për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë”.
Më tutje, ministrja tha se prioritet i ministrisë mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit.
“Prioriteti ynë si Ministri e Arsimit është të përmirësojmë cilësinë në arsim, duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike. Andaj, jemi duke punuar në shumë drejtime për të avancuar pozitën e mësimdhënësit dhe për të ofruar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore”.