NATO dërgon më shumë trupa në Evropën Lindore

NATO dërgon më shumë trupa në Evropën Lindore

Vendet anëtare të NATO-s do të dërgojnë më shumë trupa në Evropën Lindore, thanë liderët botërorë, ndërsa akuzuan Rusinë se gënjen për qëllimet e saj.

Në një deklaratë të përbashkët pas një samiti virtual të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, 30 udhëheqësit e NATO-s thanë:

“Askush nuk duhet të mashtrohet nga breshëria e gënjeshtrave të qeverisë ruse. Tani po bëjmë dislokime shtesë të rëndësishme mbrojtëse të forcave në pjesën lindore të aleancës”, thuhet në komunikatën e tyre.

NATO i bëri thirrje Moskës që të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe “të kthehet prapa nga rruga e agresionit që ka zgjedhur”.

“Vendimi i Presidentit Putin për të sulmuar Ukrainën është një gabim i tmerrshëm strategjik, për të cilin Rusia do të paguajë një çmim të rëndë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, për vitet në vijim”, thuhet në deklaratë.

Për dërgimin e trupave në Evropën Lindore, NATO thotë se “do të bëjë të gjitha dislokimet e nevojshme për të siguruar parandalim dhe mbrojtje të fortë dhe të besueshme”.

“Masat tona janë dhe mbeten parandaluese, proporcionale dhe jo shkallëzuese”, vijon komunikata. 

Stoltenberg iu tha gazetarëve pas takimit se NATO ka vendosur elementë të forcës së saj të reagimit të shpejtë në tokë, det dhe në ajër në Evropën Lindore.

Ai thotë se blloku i sigurisë “tashmë ka forcuar mbrojtjen tonë” dhe se SHBA-ja, Kanadaja dhe vendet evropiane kanë vendosur tashmë mijëra trupa në rajon.

Më shumë se 100 avionë luftarakë janë duke operuar tani në 30 lokacione mbrojtëse në Evropë, të shoqëruar nga më shumë se 120 anije dhe tre grupe sulmuesish, thotë Stoltenberg./GazetaEnigma/

Related Articles