Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, nuk fitoi asnjërën prej dy ndeshjeve me Clujin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Por, nga Cluji rumun, Ballkani fiton 300 mijë euro. Këtë shumë klubi suharekas e merr nga shitja e sulmuesit Ermal Krasniqi.
Krasniqi të martën kompletoi transferimin te kampioni i Rumanisë, Cluji. Ai me Clujin ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026. Me Ballkanin kishte kontratë vetëm deri në qershor të këtij viti.
Krasniqi u bë lojtari i parë që u transferua nga Kosova në këtë vit, ndërsa Ballkani ka mbajtur 15 % të kartonit të 24-vjeçarit.
Por Krasniqi nuk pritet të jetë lojtari i fundit që lëviz këtë afat kalimtar nga Kosova për në ndonjë klub të huaj. Gjasat janë të mëdha që nga Ballkani të transferohet edhe ndonjë lojtar tjetër.
Kështu thotë drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi.
“300 mijë euro dhe 15 % të kontratës e kemi mbajtur nga ky transferim. Duke pasur parasysh që Ermalit i kishin mbetur vetëm katër muaj kontratë valide, me transferimin e tij kemi bërë një marrëveshje të mirë, pasi do ta humbnim me parametra zero. Jemi shumë mirë. 200 mijë euro do t’i marrim tani, ndërsa 100 mijë në verë në momentin që Cluji kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Cluji luan rregullisht në garat evropiane. Ka mundësi që edhe ndonjë lëvizje të ketë deri në fund”, ka thënë Nexhipi për kohën.
Për mundësinë e transferimit jashtë Kosovës janë përmendur edhe emrat e lojtarëve si Lindon Emërllahu, Albion Rrahmani, Meriton Korenica të Ballkanit, Ilir Krasniqi i Llapit e ndonjë tjetër.
Në vitet e fundit ka pasur disa transferime të lojtarëve nga klubet e Kosovës. Vitin e kaluar ekipit kundërshtar të Dritës, Antwrpit belg, i bëri përshtypje paraqitja e Arbnor Mujës. Nuk kaloi shumë kohë dhe Antwrpi e bleu kartonin e Mujës nga Drita.
Krenar me lëvizjen e Valmir Veliut te Gaziantepi turk ishin te Llapi. Llapi përfitoi 180 mijë euro nga shitja e Veliut te klubi turk, ndërsa ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të tij.
Më herët lëvizje nga klubet kosovare kanë bërë edhe Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Jetmir Topalli, Arb Manaj, Lumbardh Dellova, Leotrim Kryeziu, Festim Alidema e ndonjë tjetër. Dellova, Kryeziu e Alidema po luajnë sërish në Kosovë.
Me paraqitjen e klubeve kosovare në gara evropiane mundësia e transferimit është rritur ndjeshëm. Tani po përfitojnë edhe klubet, ndërkohë që për shumë vjet transferimet bëheshin thuajse pa kompensim.