Sirenat ajrore ranë në gjithë Ukrainës mëngjesin e së martës për të paralajmëruar për bombardime ruse, derisa në disa pjesë të kryeqytetit Kiev u dëgjuan shpërthime.
Autoritetet lëshuan paralajmërime në rajonet Çernihiv, Sumi, Poltava, Luhansk, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Kiev, Çerkasi, Kriovohard dhe Vinitsia.
Kryetari i administratës ushtarake në Kiev, Serhiy Popko, njoftoi për rënien e copëzave të dronëve të rrëzuar në qarkun Darnitski në kryeqytet. Ai nuk tregoi nëse ka viktima.
Administrata ushtarake rajonale në Sumi raportoi se ushtria ruse kreu sulm raketor ndaj infrastrukturës në qytezën Shostka. Ajo tha se po heton nëse sulmi ka shkaktuar viktima apo dëme.
Këto sulme ndodhën vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta mbështesin Ukrainën me ndihmë shtesë ushtarake për forcimin e mbrojtjes përgjatë vijës së frontit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se ndihma e re përfshin mbështetje ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI).
Disa orë më vonë, Departamenti i Thesarit njoftoi se Ukrainës do t’i ndahen edhe 3.4 miliardë dollarë si mbështetje e drejtpërdrejtë nga buxheti.
Shtëpia e Bardhë e ka rritur mbështetjen për vendin e rrënuar nga lufta para se mandati i presidentit Joe Biden të mbarojë muajin e ardhshëm.