Shkolla fillore e mesme e ulët “Dardania”, e cila gjendet në Prishtinë, është shkolla e dytë me më së shumti nxënës.
Mbi 2 mijë nxënës, nga kjo e hënë kanë filluar procesin mësimor, me prezencë fizike në klasa.
Mirëpo ky numër i madh i nxënësve po ua pamundëson mbajtjen e distancës, si ndër masat kryesore të vendosura nga institucionet shëndetësore, për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
“Bartja e maskave është e domosdoshme gjatë procesit mësimore, ndërsa sa i përket distancës, është pothuajse e pamundur, sepse klasat janë të stërngarkuara me numër të madh të nxënësve, dhe siç po e shohim në një klase kemi rreth 40 nxënës në një klasë”, ka deklaruar Melisa Doberdoli, mësimdhënëse.
Sipas mësimdhënësve në këtë shkollë, gripi sezonal te nxënësit ka qenë më shumë prezent në periudhën e parë të procesit mësimor, ku edhe ka pasur mungesa të shumta të tyre.
Derisa drejtori i kësaj shkolle thotë se procesi mësimor ka nisur për të gjitha klasat me skenarin e parë dhe se janë të përgatitur për secilin skenar.
“Kemi skenarët A, skenarin B dhe C, varësisht nga numri i nxënësve të infektuar kalojmë edhe në skenarë, marrim vendimet prej task forcës së shkollës, që zakonisht e mbajmë çdo të enjte”, u shpreh Isak Brega, drejtor i shkollës “Dardania”.
Në lidhje me shqetësimet për gripin sezonal ka folur edhe nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, e cila ka thënë se shumica e mësimdhënësve janë të vaksinuar.
“Mësimdhënësit tanimë janë të vaksinuar, mbi 95 për qind e tyre, por kemi një numër të mësimdhënësve që janë të prekur nga variantet dhe koronavirusi. S’është ndonjë numër i lartë, mirëpo po ashtu kemi edhe nxënës që janë të infektuar. Natyrisht, në periudhën e parë kemi pasur informacione se një numër i lartë i nxënësve kanë qenë të prekur nga gripi sezonal. Tani thuhet se ka kaluar gripi sezonal dhe nxënësit janë të pranishëm nëpër shkolla. Në fund të periudhës së parë, më shumë ka pasur të prekur nga gripi sezonal sesa nga koronvirus”, pohoi Shala.
Pavarësisht numrit të madh të të infektuarve, në javën e parë të muajit janar institucionet vendosën që të fillojë procesi mësimor me prezencë fizike.
Derisa, Ministria e Shëndetësisë pret të ketë rritje edhe më të madhe, si shkak i mosrespektimit të masave. Sipas MSh-së, përveç 9 rasteve të konfirmuara më herët, me variantin Omicron tashmë janë konfirmuar edhe 8 raste të tjera, me këtë variant, që po konsiderohet më shpërndarës sesa të gjitha variantet e mëhershme të COVID-19, derisa nga mostrat e dërguara në Gjermani për testim nuk ka pasur të infektuar me Omicron.
“Bazuar ne te dhënat e raportuara nga IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë i IKSHPK-se ka bere disa testime te mostrave te rezultuara pozitive ne COVID-19, për detektim te variantit Omicron. Në njërin rast, kane rezultuar 9 raste me këtë variant, ndërsa ne rastin tjetër 8. Rritja e rasteve mund te pritet, qofte për shkak te pranisë se varianteve te ndryshme te SARS COV-2, por edhe si pasoje e mosrespektimit adekuat te masave ne fuqi”, thuhet në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Teksa as Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me masat e reja, të paralajmëruara javën e kaluar nga ministri. Vetëm për 11 ditë, në Kosovë janë regjistruar më shumë se 1 mijë raste me COVID-19. E vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 356 rate pozitive.