Drejtuesi i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, kryetari Edmond Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm, Artan Muhaxhiri, janë pritur nga Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltari i tij, Besim Aliti për nder të 2 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, raporton Gazeta “Enigama”
Presidenti Krasniqi, duke përgëzuar gazetarët në shënimin e kësaj dite, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar edhe më fuqishëm bashkëpunimin me gazetarët sportivë, për të cilët tha se mbeten promovimi më i madh i aktiviteteve të KOK-ut dhe sportit tonë në përgjithësi.
Kryetari i SHGSK-së, Thaçi, duke e uruar presidentin Krasniqi për zgjedhjen e tij në krye të KOK-ut, e falënderoi për pritjen, derisa e njoftoi me sfidat me të cilat po përballen gazetarët sportivë, si dhe aktivitetet që e presin SHGSK-në.
Të dyja palët diskutuan për forma të ndryshme të bashkëpunimit, si dhe për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ku pjesë e delegacionit të Kosovës do të jenë edhe gjashtë gazetarë nga Kosova.
Në fund u shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike.