Kur kishte marrë mandatin si i deleguar i Bashkimit Evropian (BE), për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, kishte deklaruar se Ballkanin Perëndimor gjithmonë e kishte pasur në zemër.
Mirëpo, nga momenti kur ka marrë këtë pozitë, mes palëve janë arritur vetëm dy marrëveshje, ajo për targa dhe së fundmi marrëveshja për energjinë.
E kjo po shihet si jo shumë punë e suksesshme e sllovakut.
Visar Ymeri, Drejtor i Institutit “Musine Kokalari”, ka thënë se BE-ja do të mund të gjejë një person më të përgatitur për punën të cilën e ushtron Lajçak, megjithatë shton se përgjegjësinë e dështimeve duhet ta marrin edhe palët.
“Në procesin e dialogut ne aktualisht jemi duke i ringjall marrëveshjet e nëse e masin kështu atëherë nuk i ka pasur ndonjë përparim kushedi se çfarë në dialog. Ne ende në procesin e dialogut aktualisht po i ringjallim marrëveshjet e kaluara, për shembull kjo për energjinë është arritur në vitin 2013, pastaj ajo për tragat e vitit 2016″.
“Pra, kemi marrëveshje për implementim dhe bie që nuk kemi marrëveshje të re”, ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë ndër të tjera se së fundmi është raportuar se shtetet e Bashkimit Evropian janë pro vazhdimit të mandatit për Lajçakun.
“Lajçak është një prodhim i një kompromisi brenda BE-së se kush duhet të shërbejë në këtë drejtim. Natyrisht mund të gjinden njerëz më të mirë e me të aftë për këtë punë. Por, prapë po them mos të zhvendosim përgjegjësinë nga vetja tek dikush tjetër”, ka shtuar ai.
Në një përgjigje për Dukagjinin, nga BE-ja nuk e kanë mohuar një gjë të tillë.
“Mandati i EUSR-ve zgjatet apo ndërrohet me propozim të Përfaqësuesit të Lartë, i cili pasohet nga konsultime dhe procedura standarde ndërmjet shteteve anëtare. Dialogu është një proces i lehtësuar nga BE-ja”.
“Procedura standarde për rinovimin e mandatit të EUSR-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor nuk ndikon në vazhdimin e dialogut”, ka thënë Peter Stano, zëdhënësi i BE-së.
Edhe ShBA-ja kishte emëruar emisar për dialogun, mirëpo pozita e tij nuk është riaktivizuar pas mandatit të Joe Biden si president, megjithëse ka të dërguar për Ballkanin Perëndimor, ashtu siç kanë edhe Britania e Madhe dhe Gjermania.