Fillimisht mezi u ndërtua. E tashmë, mezi po zhvillohet mësimi.
Ani pse u deshën plot 11 vjet që shkolla e mesme e Muzikës dhe Artit Pamor në Gjilan të dalë në dritë, si duket me të nuk po bëhen rehat, raporton Kiks Kosova.
Në katin e tretë të objektit, aty në një qoshe është një klasë, në të cilën mësojnë vetëm tre nxënës.
Më parë ishin katër, por kjo e fundit e ndërroi shkollën.
Me shumë dëshirë e kanë zgjedhur drejtimin për pikturë, por sa herë kanë për ta mbajtur lëndën e grafikës, iu prishet qejfi.
Kjo nga era e padurueshme e ngjyrave që i përdorin, e cila nuk ka se ku të depërtojë, pasi që në këtë klasë nuk ka dritare.
Nxënësit thonë se nga ajri që thahet e aroma e padurueshme, shpeshherë kanë probleme shëndetësore.
Frikë thonë se kanë nga mundësia e ngjitjes së ndonjë sëmundjeje.
Të mbyllur pothuajse hermetikisht, në klasën që i kalojnë 6 orë gjatë ditës e 30 gjatë javës, ata vështirë e kanë edhe qëndrimin aty.
Në atë dhomë me më pak se 5 metra katrorë, më parë kishte qenë biblioteka e shkollës, e tash ka një vit që në të nxënësit e pikturës mbajnë çdo ditë mësim.
Shumë më vështirë thonë se e kanë pasur gjatë dimrit. Sipas nxënëses Medina Beqiri, shpeshherë ngrohjet e shkollës nuk kanë funksionuar, prandaj janë detyruar të marrin ngrohëse elektrike.
Përveç që e rrezikshme, ajo thotë se nga ambienti i ngushtë, sa s’janë ngufatur.
Shpresë ka që të paktën vitin e fundit të shkollës së mesme të mos e kalojë në këtë klasë.
Si duket edhe profesorët zor se ia dalin ta përballojnë këtë ambient të vogël.
Megjithatë, ai shpreson që së shpejti t’u bëhet një zgjidhje më e mirë, ku mund ta zhvillojnë mësimin si duhet.