Qeveria Kurti, në plan programin qeverisës, në pjesën për liberalizimin e vizave, nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar dhënien e datave si gabim nga qeveritë e kaluara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data të gabuara. Me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të punojmë me qeveritë e shteteve që ende janë skeptike që të arrijmë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në programin qeverisës.
Në anën tjetër, aty thuhet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian e mbështesin dëshirën e qytetarëve të Kosovës për të mos mbetur vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Janë disa nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë”, potencohet tutje në program.