Në seancë private vazhdon dëshminë dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në seancë private vazhdon dëshminë dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar, i cili sipas ZPS-së ishte pjesë e Zonës Operative të Dukagjinit, po dëshmon me masa mbrojtëse si dhe kundërpyetjet për atë është duke i parashtruar në seancë private, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se të fillohet me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, avokati Mishetiq kishte disa dokumente për t’i paraqitur si prova materiale, e që këtë gjë e bëri në seancë private.

Ndryshe, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndjek seancën e sotme përmes video-lidhjes, të gjithë të akuzuarit e tjerë janë të pranishëm në sallë.

Përmes video-lidhjes është duke dhënë dëshminë edhe dëshmitari, ashtu sikurse edhe gjatë ditës së hënë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Related Articles