Në takim me Vuçiqin, Chollet tregon se ku duhet të fokusohet dialogu Kosovë-Serbi

Në takim me Vuçiqin, Chollet tregon se ku duhet të fokusohet dialogu Kosovë-Serbi

Situata në Kosovë, vazhdimi i dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së, qëllimi i të cilit është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën, ishin temat e diskutimit mes këshilltarit të lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Chollet dhe Vuçiq nuk iu drejtuan mediave – por disa nga detajet e takimit të tyre i bëri të ditur Presidenca e Serbisë.

Në njoftimin e presidencës serbe, thuhet se Chollet dhe Vuçiq në drekën e punës kanë diskutuar për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal, si dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Siç thuhet në njoftim, është biseduar edhe për potencialet e pashfrytëzuara në zhvillimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.

Presidenca e Serbisë bëri me dije se Chollet theksoi se SHBA-ja gjithmonë do të mbështesë përpjekjet e që bëhen për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, transmeton Telegrafi.

Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-të angazhohen në favor të fokusimit në agjendën sipas së cilës palët në dialog duhet të fokusohen në bisedimet për planin franko-gjerman, si dhe në formimin e shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë takimit, në një komunikatë të Presidencës së Serbisë, thuhet se Vuçiq e ka njoftuar zyrtarin diplomatin amerikan për zhvillimet në Kosovë.

“Serbia ka një qasje serioze dhe të përgjegjshme ndaj çdo përshkallëzimi të ri që ndodh si rezultat i lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”, thuhet në komunikatën e presidencës serbe.

U tha se presidenti serb ka thënë se Serbia mbetet konsistente ndaj politikës së paqes, stabilitetit, dialogut dhe qëndrimit konstruktiv për të gjitha çështjet e hapura dhe se pret që SHBA-të t’i njohin ato përpjekje të Beogradit.

Gjithashtu, sipas kumtesës së Presidencës së Serbisë, Vuçiq ka theksuar se pret që Amerika të shfrytëzojë ndikimin e saj dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e pranuara dhe të nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialogun në frymën e shkëmbit të hapur dhe të sinqertë të propozimeve për zgjidhjen e sfidave specifike.

Sipas programit, zyrtari amerikan duhet të takohet me kryeministren serbe Ana Brnabiq dhe ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiq. 

Related Articles