Në Mitrovicë të Veriut, serbët po protestojnë më 12 shkurt kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.
Protesta po mbahet pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Protestuesit janë nga të gjitha komunat ku jetojnë komuniteti serb.
Tek ura mbi Ibër janë të pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton dinarin serb, për kryerjen e pagesave.
Një nga protestuesit nga Zubin Potoku tha për Radion Evropa e Lirë se ai po proteston “kundër çdo gjëje, edhe kundër atyre në Beograd dhe kundër atyre në Prishtinë”, duke shtuar se “nuk i besoj më askujt”.
Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Protesta e 12 shkurtit është përkrahur nga sindikata që përfaqëson punëtorët e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë.
Kjo sindikatë, ftoi që të marrin pjesë të gjithë punëtorët në Kosovë, që punojnë sipas sistemit serb, përfshirë ata në sektorin e arsimit, shëndetësisë, punëtorët e postës dhe ata që punojnë në minierën Trepça. Në njoftim u tha se ata kundërshtojnë lëvizjet “e njëanshme përshkallëzuese që synojnë dëbimin e popullatës serbe nga Kosova”.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake.
Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.
Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë një fazë tranzitore për këtë vendim dhe serbët do të informohen më mirë për të.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston se vendimi nuk ndalon që serbët të mbajnë dinarë, por ato ka thënë se duhet të konvertohen në euro në rast se do të përdoren për pagesa. Sipas Kurtit, BQK-ja po ashtu nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kërkojnë që serbët në Kosovë të hapin llogari në ndonjërën prej bankave komerciale të licencuara.
Shteti serb, më pas, mund t’i nisë fondet në dinarë, por ato me automatizëm konvertohen rrugës në euro.