Shumë prindër të cilët janë në marrëdhënie pune dhe nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e tyre të vegjël vendosin të punësojnë dado.
Me qëllimin për t’iu ofruar përkujdesje fëmijëve, nënat e baballarët jo rrallëherë përballen edhe me situata të trishta, të dhunës që ushtrohet ndaj fëmijëve.
Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një grua në Fushë Kosovë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke pretenduar se kujdestarja e fëmijës së saj, e ka sulmuar fizikisht atë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për E.S., e cila po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës 4-vjeçar, të cilit për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.
Posa rasti është raportuar në Polici, e dyshuara është intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast ka dhënë deklaratë lidhur me denoncimin kundër saj.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor” dhe varësisht nga procesi hetimor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.