Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë Evis Kushi, kanë nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një abetare të përbashkët në dy shtetet.
Ministrja Nagavci në një konferencë për media tha se bashkëpunimi në fushën e arsimit është i domosdoshëm.
“Është kënaqësi për mua të pres ministren Kushi, dhe bashkërisht të nënshkruajmë marrëveshjen në lidhje me abetaren e re të përbashkët të cilën presim t’ua bëjmë dhuratë nxënësve tanë vitin e ardhshëm shkollor. Bashkëpunimi në fushën e arsimit, janë më shumë së domosdoshmëri, jemi të përkushtuara që të kemi aktivitete të shumta. Jemi të lumtur që abetarja do të përdoret në të dyja vendet”, deklaroi ajo.
Ndërsa, ministrja Kushi pohoi se nuk ka më mirë se sa një komb të ketë një abetare.
“Unë e kam pritur me padurim një vizitë në Kosovë, e pikërisht për të konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi në dy vende. Jemi në kohë rekord për të nënshkruar marrëveshjen për abetaren. Abetarja e re është e nevojshme. Nuk ka më mirë së një gjuhë, një komb, e një abetare të përbashkët”, tha ajo para mediave. /Gazeta Enigma/